Shërbimet

Rreth Punës së Klubit Dëshira

Klubi Dëshira është organizatë jo-qeveritare e themeluar në vitin 2001, e specializuar për shërbime sociale, rehabilitim, jetë të pavarur dhe integrim të personave personat me aftësi të kufizuara mendore dhe dëmtime intelektuale (PAK-MDI). Me programin e saj Qendra Ditore, Klubi Dëshira, ofron shërbime për anëtarë me PAK-MDI të grup moshave 18-60 vjeç.

Në Qendrën Ditore, anëtarët marrin pjesë në programet socio-edukative, të cilat janë të dizajnuara për nevojat e tyre dhe kanë për qëllim rehabilitimin, edukimin dhe përmirësimin e jetës së tyre sociale dhe ekonomike. Krahas shërbimeve në Qendrën Ditore, Klubi Dëshira ofron shërbime dhe bashkëpunon ngushtë me Qendrat e Shëndetit Mendor dhe Shtëpitë e Integrimit në Bashkësi në Prishtinë, Gjilan dhe Prizren.

Qëllimi i punës sonë është ofrimi i shërbimeve sociale me cilësi të lartë për grupet më të cenueshme, siç janë personat me aftësi të kufizuar mendore dhe me dëmtime intelektuale (PAK-MDI) në Prishtinë, si dhe fuqizimi i kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së Klubit Dëshira dhe qendrës së Shëndetit Mendor dhe Shtëpisë së Integrimit në Bashkësi në Prishtinë.

Nusret Shillova

Nusret Shillova

Drejtor Ekzekutiv, Klubi Dëshira

“Në mesin e anëtarëve që kanë ndjekur aktivitetet tona, kemi persona qe kanë vazhduar fakulltetin dhe tashmë janë duke ndjekur studimet master, dhe kjo na jep shpresë për të punuar akoma më shumë bashkërisht deri në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Ne jemi duke bërë përpjekje të mëdha për një ligj gjithëpërfshirës ku të gjithë do të gëzonin të drejtat e barabarta karshi institucioneve përgjegjëse për zbatimin e drejtë të tij.”

Misioni

Misioni ynë është që të gjithë personat me dëmtime intelektuale dhe aftësi të kufizuara mendore të kenë qasje në mbështetje institucionale dhe të shoqërisë, e cila mund t’u ofrojë atyre inkurajimin dhe ndihmën që kanë nevojë, për të jetuar jetë të pavarur dhe të jenë plotësisht të angazhuar në shoqëri.

Vizioni

Vizioni ynë është që një ditë në të gjitha qytetet e vendit tonë të formohen klubet për shërbimet e akredituara sipas standardeve ndërkombëtare të programeve për personat me dëmtime intelektuale. Qëllimi i Klubit Dëshira është të bashkëpunoj ngushtë me këto klube, organizata, dhe institucionet lokale për të ofruar shërbimet më cilësore dhe kujdesin më të mirë për grupet e cenueshme në Kosovë.

Projektet

Klubi Dëshira është duke zbatuar projektin “Shërbime Cilësore për Personat me Aftësi të Kufizuara Mendore dhe me Dëmtime Intelektuale PAK-MDI”, në partneritet me Save the Children International Kosova/o dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Projekti ka për qëllim të kontribuojë në ofrimin e shërbimeve sociale me cilësi të lartë për grupet më të cenueshme, si dhe të fuqizoj kapacitetet dhe qëndrueshmërinë e Klubit Dëshira dhe Qendrën e Shëndetit Mendor dhe Shtëpisë së Integrimit në Bashkësi në Prishtinë.

Aktivitete Mbështetëse për Personat me Aftësi të Kufizuara Mendore

Në Klubin tonë, ne organizojmë aktivitete të shumta psikoedukuese, argëtuese e kreative të cilat kanë për qëllim ngritjen e të menduarit kritik, aftësitë e zgjedhjes së problemeve, menaxhimin e sfidave, socializimin, përfshirjen në shoqëri e në veçanti zhvillimin e mëtutjeshëm të autonomisë. Këto aktivitete që zhvillohen për përfituesit e Klubit Dëshira dhe Shtëpive Integruese në Drenas dhe Fushë Kosovë realizohen përmes terapisë grupore dhe individuale. Është shumë e rëndësishme që në aktivitete të tilla të përdoren edhe lojëra dhe aktivitete kreative e argëtuese që nxisin imagjinatën, të menduarit kritik, aftësinë për zgjidhjen e problemeve dhe ngritjen e vëmendjes. Këto aktivitete që zhvillojmë me përfituesit tanë u mundësojnë atyre që të zhvillojnë të njëjtat në shtëpitë e tyre me familjarë apo fëmijët e tyre.

Shërbime Ndihmëse për Personat me Dëmtime Intelektuale

Përmes terapive të rregullta grupore, ne sigurohemi që një rëndësi e madhe t’i kushtohet ngritjes së vetëdijësimit për aftësinë e kufizuar dhe llojet e aftësive së kufizuara. Përveç bashkëbisedimit aktiv për aftësinë e kufizuar që na veçon secilin nga ne, ekipi ynë mundëson që të gjithë të mësojnë më shumë për të gjitha aftësitë e kufizuara, karakteristikat e tyre, mënyrat e përmirësimit dhe gjithëpërfshirjes. Përmes aktiviteteve siç janë “Të mësojmë për emocionet pozitive”, “Bullizmi dhe ngacmimet”, “Arsyetimi moral dhe motivimi”, “Gjuha e trupit” etj., ne sigurohemi që të krijojmë një mjedis ku të gjithë të jenë të gatshëm të ndajnë përvojat e tyre e në këtë mënyrë të ngrisim vetëdijësimin për kontributin e secilit individ në shoqëri.

Terapi të Rregullta Grupore

Terapitë grupore në Klubin Dëshira organizohen në atë mënyrë që të arrihet përfshirja e barabartë e gjithë grupit: personave që janë më të tërhequr, atyre më të moshuar, dhe po ashtu personave me dëmtime në të parë. Në çdo aktivitet, ekipi ynë arrin të bëj përshtatshmërinë në grup ku disa transmetojnë mendimet e tyre përmes të folurit, disa përmes shkrimit apo vizatimit, e disa përmes lojërave. Nga këto aktivitete përfitojnë edhe vetë punonjësit e institucioneve partnere të cilët duke vëzhguar teknikat tona arrijnë të përmirësojnë metodat e punës me grupet e tilla në punën e tyre.

Mësime Mbështetëse Edukativo-Arsimore

Duke qenë se ne punojmë aktivisht me persona të komunitetit të aftësisë së kufizuar intelektuale, një rëndësi e madhe i kushtohet aspektit të mësimit bazik, më specifikisht aspektit të shkrimit. Anëtarët tanë vazhdojnë të përfitojnë nga mësimet tona të vazhdueshme dhe ne ndjehemi krenar kur ata demonstrojnë progres në aftësitë e tyre në të shkruar, dhe motivohemi që të vazhdojmë punën tonë me këto grupe. Ndryshime të mëdha vërehen kur pjesëmarrësit ndjekin aktivitetet tona rregullisht dhe mirëpresin mësimet tona që ju mundësojnë përmirësim në shkrim dhe lexim.